Bashkia e Selenicës kufizohet në veri me bashkinë Fier, në lindje me bashkinë Mallakastër, Tepelenë dhe Memaliaj, në jug me bashkinë Himarë dhe perëndim me bashkinë Vlorë. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Selenicës.

Sipas Censusit të vitit 2011, zona e bashkisë së re Selenicë ka një popullsi prej 18.476 banorësh ndërsa në Regjistrin Civil rezulton me 35.793 banorë. Dallimi i madh mes shifrave të regjistrit civil dhe të censusit flet për një shkallë të lartë emigrimi. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 561.24 km2. Sipas të dhënave të censusit, bashkia e re ka një densitet prej 32.9 banorësh për kilometër katror ndërsa sipas regjistrit civil, densiteti është 63.77 banorë/km2.

Bashkia e re e Selenicës shtrihet në një zonë kodrinore në bregun e majtë të lumit Vjosa si dhe përgjatë lumit Shushicë, i cili është tributar i Vjosës. Bashkia e re ka në territorin e saj minierën historike të bitumit në Selenicë, ku punësohen edhe banorët e fshatrave përreth, si dhe zonën naftëmbajtëse të Vllahinës ku nafta është drejt shterimit duke lënë pas një zonë të madhe të ndotur.
Bashkia e re përbëhet nga disa komuna të cilat nuk kanë lidhje organike me qytetin e Selenicës, si dhe nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë rrugore me këtë qytet, duke vështirësuar në këtë mënyrë komunikimin mes tyre.

Bujqësia dhe blegtoria është aktiviteti kryesor ekonomik i bashkisë së re, popullsia e të cilës bazohet veçanërisht shumë te remitancat nga emigracioni për të siguruar të ardhurat e saj. Si zonë bujqësore, bashkia e re është e lidhur ngushtë me bashkinë e Vlorës, si treg i rëndësishëm për produktet e saj.

AlbaniaUSA