Së bashku me deputetin e zonës Z. Vullnet Sinaj morëm pjesë sot në aktivitetin e organizuar nga Bashkia Selenicë në Parkun Arkeologjik Amantia në krahinën e Sevasterit.
“Amantia Fest”, një festë e organizuar si vazhdim i traditës që kjo zonë ka patur sa herë që muaji maj shënon fundin e tij. Pikërisht kjo traditë mblodhi sot banorë të kësaj zone por edhe nxënës shkollash e grupe të këngës labe të cilët në bashkëveprim edhe me këngëtarë të këngës popullore realizuan një performancë të shkëlqyer kulturore e sportive.
Lojrat e shumta sportive e sidomos ndeshjet në ring të sportistëve ardhur nga qarku i Fierit e që të kujtojnë lojrat olimpike të antikitetit e bënë edhe më atraktive aktivitetin që u zhvillua si dimension sportiv i festës.
Organizimi i kësaj ditë feste ardhur si traditë nga brezat e shkuar tregon për mundësitë që ekzistojnë për ta kthyer këtë aset kulturor trashëgimie në një atraksion të vërtetë turistik e historik në dobi të zhvillimit pozitiv të zonës.
Bashkia e Selenicës po punon dhe është e vendosur jo thjesht për ta njohur e respektuar traditën por edhe për ta kthyer atë në dobi të banorëve të vet.
Festa e Amantias është treguesi më i mirë se si pasuritë tona arkeologjike, historike e natyrore të mund të kthehen në atraksione të vërteta turistike ku mund të shpalosen vlera të traditës, mikpritjes, kulinarisë e vlerave të tjera nga pasuria jonë e rrallë shpirtërore.