AMANTIA FEST

Së bashku me deputetin e zonës Z. Vullnet Sinaj morëm pjesë sot në aktivitetin e organizuar nga Bashkia Selenicë në Parkun Arkeologjik Amantia në krahinën e Sevasterit.
“Amantia Fest”, një festë e organizuar si vazhdim i traditës që kjo zonë ka patur sa herë që muaji maj shënon fundin e tij. Pikërisht kjo traditë mblodhi sot banorë të kësaj zone por edhe nxënës shkollash e grupe të këngës labe të cilët në bashkëveprim edhe me këngëtarë të këngës popullore realizuan një performancë të shkëlqyer kulturore e sportive.
Lojrat e shumta sportive e sidomos ndeshjet në ring të sportistëve ardhur nga qarku i Fierit e që të kujtojnë lojrat olimpike të antikitetit e bënë edhe më atraktive aktivitetin që u zhvillua si dimension sportiv i festës.
Organizimi i kësaj ditë feste ardhur si traditë nga brezat e shkuar tregon për mundësitë që ekzistojnë për ta kthyer këtë aset kulturor trashëgimie në një atraksion të vërtetë turistik e historik në dobi të zhvillimit pozitiv të zonës.
Bashkia e Selenicës po punon dhe është e vendosur jo thjesht për ta njohur e respektuar traditën por edhe për ta kthyer atë në dobi të banorëve të vet.
Festa e Amantias është treguesi më i mirë se si pasuritë tona arkeologjike, historike e natyrore të mund të kthehen në atraksione të vërteta turistike ku mund të shpalosen vlera të traditës, mikpritjes, kulinarisë e vlerave të tjera nga pasuria jonë e rrallë shpirtërore.

5 Maj – Lavdi Dëshmorëve!

“Ç’është kështu, o shokë me ju,
Vitet tutje, ju tëhu…”,
kështu thotë kënga e popullit për dëshmorët dhe kështu ndodhi vërtet edhe sot në Bashkinë e Selenicës ku në të gjitha njësitë administrative, në të gjitha fshatrat pranë lapidarëve u vendosën kurora me lule dhe u bënë nderime në përkujtim të dëshmorëve të Luftës Antifashistë Nacional-Çlirimtare.
Në bashkëveprim me Organizatën e Familjeve të Dëshmorëve si dhe Komitetin e Vetaranëvë u bë kujdes që pranë çdo lapidari të ketë aktivitete përkujtimore.
Aktivitetet kushtuar kësaj dite kulmuan në fshatin Vajzë ku u përurua lapidari i rikostruktuar dhe sheshi i dëshmorëve, falë projektit të inicuar nga Bashkia e Selenicës.
Lavdi Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit!

 

Festivali Folklorik i Shkollave të Mesme të Qarkut

Me kënaqësi ndoqa takimin final të Festivalit Folklorik të Shkollave të Mesme të Qarkut, organizuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore të Vlorës.
Në vlerësim të punës së organizatorëve dhe të gjitha grupeve pjesëmarrëse më duhet të vlerësoj nominalisht drejtoritë, stafet pedagogjike dhe veçanërisht nxënësit pjesëmarrës të shkollave “Mynyr Xhindi” të Vllahinës e “Ali Asllani” Kotë të cilat përfaqësuan me shumë përgjegjësi e angazhim ZVA të Bashkisë Selenicë.
Vlerësimi me Çmimin e Tretë të nxënësve të shkollës “Mynyr Xhindi” Vllahinë, tregon jo vetëm për punën e mirë të stafit të kësaj shkolle me këtë grup artistik por, kryesorja, për rëndësinë që ky kolektiv i kushton edukimit të të rinjve me vlerat më të mira të trashëgimisë shpirtërore të banorëve të kësaj zone të njohur për Trashëgiminë e saj Kulturore dhe Etnografike.
Një shëmbull që presim e duhet të përgjithësohet në të gjitha kolektivat e tjera arsimore të bashkisë tonë.

 

Bashkia në punë!

Një kujdes të vazhdueshëm tregojmë çdo ditë për hapësirat e gjelbërta në qytet përmes mirëmbajtjes së tyre.
Qytetarët janë gjithmonë të parët!

 

AlbaniaUSA